Vau i Dejës/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Godina”.

Evidentohet një ambient i përshtatur për kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave.

Gjenden brenda ambientit 578 fidanë të dyshuar si cannabis sativa në kubikë dhe në vazo si dhe 103 llamba elektrike që shërbenin për realizmin e kësaj veprimtarie kriminale.

Vihet në pranga elektricisti i zonës dhe procedohen penalisht tre pjesëtarë të grupit të punës së OSHEE-së që mbulojnë zonën.

Vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve

Në zbatim të porosive të dërguara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për intensifikimin e kontrolleve në ambiente të mbyllura për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë intensifikuar kontrollet në ambiente të mbyllura.

Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatin Dush, në një godinë të braktisur prej vitesh (pronë publike) mund të ishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, në kuadër të operacionit policor të koduar “Godina”, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll.

Gjatë kontrollit në godinën e braktisur, një nga ambientet e kësaj godine ishte përshtatur për kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, ku në brendësi të këtij ambienti janë gjetur 578 fidanë të dyshuara cannabis sativa në kubikë dhe në vazo si dhe 103 llamba elektrike e pajisje të tjera elektrike që shërbenin për realizmin kësaj veprimtarie kriminale.

Në vijim të veprimeve u arrestua shtetasi F. M., 62 vjeç, banues në Laç, elektricisti i zonës, dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit J. D., 41 vjeç, banues në Fushë- Arrëz, I. M., 32 vjeç, banues në Shkodër dhe A. B., 32 vjeç, banues në fshatin Hajmel, (grup i punës i OSHEE-së që mbulon zonën) për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Nën drejtimin Prokurorisë , strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës dhe ato të DVP Shkodër vijojnë punën intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakPËRKEQËSOHET MOTI NË VERI TË VENDIT, SI PARAQITET SITUATA NË QARKUN E SHKODRËS
Artikulli tjetër80-VJETORI I ÇLIRIMIT, KRERËT E SHTETIT DHE INSTITUCIONEVE HOMAZHE TE VARREZAT E DËSHMORËVE