Vdekja e 16-vjeçares, Prokuroria e Janinës akuzon për vrasje taksistin nga Saranda

Prokuroria e Janinës akuzon për vrasje taksistin shqiptar nga Saranda Spiro Papa, në lidhje me vdekjen e 16-vjeçares Kostandina Anagnosti 2 vite më parë. Ky lajm bëhet i ditur nga mediat e Janinës, të cilët shkruajnë se adoleshentja ndërroi jetë sapo mbërriti tek dentisti. Dyshimet e Prokurorisë së Janinës janë se Papa ka vrarë 16-vjeçaren. Adoleshentja kishte mbërritur nga Janina dhe në pikën e kalimit kufitar të Qafë Botës në Sarandë e priste taksisti për ta shoqëruar deri në fshat. Sipas dëshmive të dy viteve më parë, taksisti kishte lidhje me mamanë e vajzës, ndërsa babai bëri denoncim për ngjarjen e rëndë edhe në policinë e Janinës, pasi nuk ishte i bindur nga rezultatet e mjeko-ligjorëve në Shqipëri dhe thotë se vajza i vdiq nga shkaqe jo normale. Analizat e tjera në Janinë kanë përmbysur të dhënat e nxjerra nga autoritetet shqiptare, duke sqaruar se vajza mund të kishte shpëtuar. Në dëshminë e dy viteve më parë, taksisti Papa që po transportonte vajzën me makinë, i tha policisë së 16-vjeçarja filloi papritur të dridhej, i ra telefoni nga dora, filloi të shtrëngojë duart dhe humbi ndjenjat. Ai thotë se është përpjekur ta sjellë në jetë, duke i hedhur ujë dhe duke e goditur, por nuk ka mundur dhe është kthyer me shpejtësi drejt spitalit të Sarandës, ku vajza ka mbërritur e pajetë.