Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë informon opinionin publik se Ministria e Brendshme e Francës ka njoftuar Ambasadën e Shqipërisë në Paris, përmes një komunikimi zyrtar, mbi vdekjen e shtetasit shqiptar Florenc Beqiraj në qendrën spitalore Marseille-Nord.

 Në këtë komunikim sqarohet se, më 14 dhjetor 2017, rreth orës 17.30, shtetasi Florenc Beqiraj u gjet i pandërgjegjshëm në dhomën e tij në Qendrën e Ndalimit Administrative në Marsejë, pasi ishte shoqëruar më parë atje pas vendimit administrativ të Prefekturës për largim nga territori francez. Florenc Beqiraj iu dha menjëherë përkujdesja e urgjencës dhe ai u transportua në qendrën spitalore të Marseille-Nord. Prokuroria e Marsejës u njoftua të njëjtën ditë për ngjarjen dhe një hetim mbi ngjarjen ka nisur menjëherë. Pas disa ditësh në koma të thellë, në datën 21 dhjetor, ora 18.30, u konstatua vdekja e Florenc Beqiraj. Trupi i tij u transportua në pavionin e mjekësisë ligjore të Marsejës më 23 dhjetor, konform udhëzimeve të Prokurorisë e cila kërkoi të kryhej autopsia. Autopsia do të kryhet në ditët e ardhshme, ndërkohë që hetimi vazhdon. Ministria e Brendshme Franceze nënvizon se do të vazhdojë të informojë Ambasadën e Republikës së Shqipërisë për të gjitha informacionet e nevojshme që do të përcillen nga Prokuroria e Marsejës mbi vazhdimin e hetimit që po kryhet.

Ndërkohë që Ambasada po kujdeset për kryerjen e të gjitha procedurave për kthimin e trupit të ndjerit në Shqipëri. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Florencit dhe dëshiron të sigurojë opinionin publik se mbrojtja e interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj jashtë Shqipërisë përbën prioritet absolut. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje aktorëve politikë të dëshmojnë urtësi e të mos bien në kurthin e instrumentalizimit politik të kësaj fatkeqësie.

Artikulli paraprakPLAGOSET ME ARMË ZJARRI PËR MOTIVE TË DOBËTA 45 VJEÇARI
Artikulli tjetërSHERR MASIV MES SHQIPTARËVE DHE SERBËVE,KATËR TË PLAGOSUR