
Përgjegjësi i subjektit ku humbi jetën punëtori gjatë montimit të një skene të shtunën në Shëngjin do të hetohet me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.Zef Shtjefni, i cili u arrestua nga policia pas ngjarjes, doli para gjykatës. Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e 64-vjeçarit dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ashtu siç kishte kërkuar organi i akuzës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të sigurisë në punë”.32-vjeçari Zef Lorenci humbi jetën pasditen e së shtunës, teksa po montonte skenën për një koncert në shëtitoren “Willson” në Shëngjin. I riu ra aksidentalisht në kontakt me rrymën elektrike dhe, si pasojë e goditjes, humbi ekuilibrin dhe ra nga një lartësi prej 6 metrash, duke pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit. Zef Lorenci nga fshati Merqi i Lezhes ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.32-vjeçari, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, ishte djali i vetëm i familjes Lorenci dhe punonte për një kompani private që merrej me organizimin e eventeve.






