
Veliaj ka folur në seancën paraprake, ku është shprehur se dërgimi i tij në paraburgim, që e quan si “kafaz” është një trajtim degradues, poshtëtues dhe në kundërshtim me KEDNJ. Sipas tij, kjo po e pengon që të komunikojë me mbrojtësit e tij dhe të ndjekë në mënyrë aktive.
Fjala e plotë e Veliajt:
E nderuara zonja Gjyqtare,
Është hera e parë që paraqitem personalisht në këtë fazë gjyqësore.
Dua ta nis duke e bërë të qartë se kjo vonesë nuk ka ardhur kurrë për mungesë respekti ndaj këtij trupi gjykues, as ndaj gjykatës, e aq më pak ndaj drejtësisë. Përkundrazi, pikërisht sepse besoj dhe e respektoj drejtësinë, pikërisht sepse e respektoj rolin e gjykatës dhe standardet që duhet të udhëheqin një proces të drejtë, kam kërkuar pa asnjë ndërprerje, në gjithë këta muaj, drejtësi dhe standarde të larta në zbatimin e saj.
Gjatë gjithë këtyre muajve kam kërkuar vetëm të drejta elementare, të drejta që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia garanton çdo qytetari pa përjashtim, por që mua, deri më sot, nuk më është bërë e mundur ti ushtroj. Kam kërkuar dinjitet dhe të kem akses të plotë, të pakufizuar dhe real, si dhe kohën e kushtet e nevojshme për të lexuar aktet, provat dhe çdo deklarim mbi të cilat është ndërtuar akuza që më ka sjellë para Jush dhe më ka vendosur në izolim.
Fakti që është dashur një kohë kaq e gjatë për të më vënë në dispozicion një dosje që është bërë jo vetëm shkak i heqjes së lirisë sime, por edhe i largimit faktik nga ushtrimi i funksioneve të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, po kthehet në një absurd tragjikomik. Dhe këtë e them me shumë keqardhje dhe me respekt të plotë për këtë gjykatë: vonesa dhe pengesat e vazhdueshme krijojnë panoramën e një paragjykimi të plotë të çështjes, si dhe të trajtimit të të drejtave të mia kushtetuese jo si detyrime solemne të shtetit, por si pengesa që duhen anashkaluar në funksion të një procesi, që duket sikur kërkohet të zhvillohet shpejt, të mbyllet shpejt dhe të dëgjohet sa më pak.
Fakti që mua personalisht, nuk më është vënë ende në dispozicion një kopje fizike e akteve, si dhe koha minimale për t’u njohur me një akuzë të ndërtuar mbi rreth 60 mijë faqe, flet qartë për fatin procedural që po i përgatitet këtij procesi. Një volum i tillë dokumentesh, që do të kishte sfiduar edhe gjykimet më të rënda të historisë moderne nga Nurembergu deri tek Tribunali i Tokios, po përdoret këtu jo për të zbardhur të vërtetën, por për të bërë praktikisht të pamundur ushtrimin e së drejtës sime kushtetuese për t’u mbrojtur. Në këto kushte, është e qartë se procesi rrezikon të humbasë karakterin e tij gjyqësor dhe të kthehet në një procedurë formale ku volumi i akteve zëvendëson dijeninë, ndërsa mungesa e aksesit zëvendëson mbrojtjen.
Ndaj, znj. Gjyqtare, jam para jush sot për të paraqitur dy kërkesa themelore, kërkesa të cilat nuk burojnë nga statusi im publik, por nga atributi im më i thjeshtë dhe më i rëndësishëm: ai i qytetarit të Republikës së Shqipërisë. Nëse këto kërkesa nuk pranohen, atëherë faktikisht po më përjashtoni nga ky proces gjyqësor, një proces i cili as nuk është nisur nga unë dhe as nuk ka ardhur me iniciativën time. Unë jam thirrur nga kjo gjykatë të marr pjesë në një procedim penal.






