Sezoni turistik veror erdhi këtë vit me rritje çmimesh për shumicën e bregdetit shqiptar. Tur-operatorët dhe vetë strukturat akomoduese raportojnë rritje mes 10-40% nga Jugu në Veri. Për ata që duan pushime ekonomike, plazhet e Adriatikut janë alternativat më të lira me Velipojën dhe Shëngjinin. Durrësi është për të gjithë, nga më ekonomikët tek më luksozët, kurse Jugu me çmimet më të kripura në të gjithë vijën. Qeparoi është varianti më i lirë në Jon, kurse Palasa, Dhërmiu e Jali më të shtrenjtat. Në disa prej tyre, çmimi i një shezloni është sa çmimi i një nate në hotel. Saranda dhe Durrësi janë dy qytetet me frekuentimin më të lartë, kurse Himara e Vlora mbeten në nivelet e një viti më parë. Pas një viti pushim, rizgjohet edhe industria e argëtimit dhe bregdeti “vlon” nga koncertet. Pavarësisht rigjallërimit të përgjithshëm të turizmit, operatorët e hotelerisë vërejnë se pushuesit kanë shkurtuar kohën e qëndrimit dhe kanë reduktuar shpenzimet.

Kështu Veriu i Shqipërisë vazhdon të mbetet pjesa më ekonomike, nëse do të kalosh pushimet verore. Një dhomë hoteli me kushtet elementare, për dy persona, mund ta gjesh për 20 euro/natë në Velipojë dhe Shëngjin.

Sigurisht këto dy pika ofrojnë edhe hotele më të shtrenjtë se kaq, për ata që duan disa shërbime ekstra si pishina apo arredim më të detajuar, që luhaten në 70-80 euro/natë.

Shezloni kushton mesatarisht 300-500 lekë, ndërsa te Rana e Hedhun në Shëngjin arrin në 1,000 lekë.

Në Jug të vendit, Vlora dhe Qeparoi ofrojnë alternativa akomodimi të mesatares së poshtme të çmimeve prej 35 eurosh (dhe maksimumi 150 euro), duke u bërë plazhet më të lira ndërkohë që Dhërmiu, Palasa, Jali apo dhe Saranda me disa struktura këtë vit janë plazhet me çmimet mesatare më të larta se pjesa tjetër e bregdetit.

Kjo sigurisht ka të bëjë edhe me tipologjinë që kanë hotelet specifike, ku një pjesë janë vila dhe nuk jepen me dhoma.

Artikulli paraprakEKSODI NË 1991, META: SHPOPULLIMI DRAMA MË E MADHE
Artikulli tjetërARTIZANIA NGA ELBASANI NË SHKODËR PËR TË SHITUR QILIMA