Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar 3 shtetas për shkak se dyshohet se po bënin një ndërtim pa leje në plazhin e Velipojës. Në këtë mënyrë në pranga kanë rënë pronari i këtij subjekti dhe dy ndihmës të tij. Policia bën të ditur se është arrestuar shtetasi me inicialet A.K, 40 vjeç banues në fshatin Hajmel të Vau Dejësit i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Sipas policisë së Shkodrës ky person dyshohet se po tentonte të ndërtonte në bregdetin e Velipojës një Beach-Bar pa lejet përkatëse ndaj është bërë edhe arrestimi i tij.

Efektivët kanë arrestuar edhe dy ndihmësit që ishin duke punuar në këtë objekt që policia pretendon se ishte pa leje. Në këtë mënyrë në pranga kanë rënë shtetasit me inicialet A.S 49 vjeç, banues në fshatin Mnelë të Vau Dejësit i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” dhe shtetasin me inicialet Xh.S 52 vjeç, banues në fshatin Hajmel të Vau Dejësit edhe ai i dyshuar për veprën penale “Dhënia e Ndihmës për ndërtim të paligjshëm”.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në vendin e quajtur “Vilun”, Pulaj, Plazh Velipojë, janë konstatuar duke punuar në një objekt ndërtimi me konstrukt druri, lokal, Beach-bar në pronësi të shtetasit A. K. pa lejet përkatëse të organeve kopetente. Policia shton se në plazhin e Velipojës vijojnë kontrollet për lirimin e hapësirave publike në bregdet. Disa ditë më parë policia e Shkodrës bëri një verifikim të të gjithë plazhit të Velipojës lidhur me zbatimin e kritereve dhe ligjshmërisë në shfrytëzimin e hapësirave publike nga pronarët e shezlloneve ndërsa pjesa më e madhe rezultuan me dokumentacion të rregullt. Tashmë këto kontrolle nga efektivët kanë vijuar edhe pas këtij verifikimi me qëllim për të ndaluar çdo abuzim të mundshëm të shfrytëzimit të hapësirave publike në plazhin e Velipojës. Policia ndërmori këto aksione në gjitha plazhet e Shqipërisë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Velipojë më katër të vrarë dhe dy të plagosur pas një konflikti për shezllonet.

Artikulli paraprakVELIPOJË, PLAZH PA KORONAVIRUS
Artikulli tjetërSHKODËR, SHTOHET NUMRI I FËMIJEVË TË PREKUR NGA VIROZAT