
Thirrja e Bashkisë Shkodër për pastrimin e vijës bregdetare në Velipojë ka gjetur mbështetjen e bizneseve lokale. Këtë të diel, një pjesë e tyre janë angazhuar vullnetarisht në pastrimin e zonës ranore, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri turistik. Ditët me diell dhe temperaturat pranverore kanë sjellë gjithashtu një numër të konsiderueshëm vizitorësh në Velipojë, kryesisht pushues vendas që zgjedhin ta frekuentojnë këtë destinacion edhe gjatë muajve të parë të pranverës.
Administratori i Njësisë Administrative Velipojë, Sandër Viluni, në një prononcim për mediat, theksoi se ky aksion është pjesë e përgatitjeve të hershme për sezonin turistik, me synimin që Velipoja të jetë sa më e pastër dhe e gatshme për të mirëpritur vizitorët.
Plazhi i Velipojës është frekuentuar edhe këtë fundjavë nga vizitorë të shumtë, të cilët kanë shfrytëzuar motin e mirë për të kaluar disa orë pranë detit, vetëm 35 kilometra larg qytetit të Shkodrës.
Paralelisht me këto iniciativa, Bashkia Shkodër ka nisur zbatimin e një plani masash për përgatitjen e sezonit veror, me qëllim që Velipoja të jetë gati për të pritur pushuesit në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të bregdetit verior.






