Menjëherë pas përfundimit të protestës së banorëve të Velipojës për mosdhënien e dëmshpërblimeve për përmbytjet e viteve 2010-2011

forcat e policisë kanë bërë shoqërimin e dy prej atyre që janë cilësuar si organizator të kësaj proteste. Burime nga Velipoja bëjnë me dije se dy shtetas pas përfundimit të protestës janë dërguar në komisariatin e policisë së Shkodrës për t’u marrë në pyetje në lidhje me reagimin e tyre për mosdhënien e dëmshpërblimeve. Burime pranë policisë vendore të Shkodrës shprehen se këta dy shtetas që janë shoqëruar dyshohen për “manisfestim dhe grumbullim të paligjshëm”. Edhe pse banorët që protestuan nuk kanë bërë asnjë lloj shkelje sepse nuk ka patur thirrje të ndryshme në kor, nuk ka patur bllokim rrugësh por as edhe ndonjë debat me forcat e policisë që ishin të pranishme.

Thjeshtë një grup prej disa personash në lulishten përpara njësisë administrative në qendër të Velipojës kanë kërkuar përmes mediave një të drejtë të tyren që ata pretendojnë për dëmshpërblimet e padhëna të viteve 2010-2011. Pavarësisht se qëndrimi i tyre ka qenë paqësor dhe më shumë se një protestë rezultoi një komunikim për mediat, forcat e policisë kanë bërë shoqërimin e dy prej tyre të cilësuar si organizator.

Njëri prej të shoqëruarve është Mark Toma dhe sëbashku me të ndodhet në komisariat edhe një persona të tjetër. Të dy këta shtetas do të merren në pyetje për protestën e zhvilluar ndërsa mund të rrezikojnë të mbesin të arrestuar me akuzën për manifestim dhe grumbullim të paligjshëm. E njëjta histori ndodhi me Paulin Maçaj i cili u arrestua përpara dy vitesh dhe më pas u lirua për të ardhur në 2017-ën kur dosja e tij u rihap por nuk u arrit të gjykohej sepse përfitoi nga amnistia. Kësaj here nuk është e njëjta histori sepse protesta ishte paqësore, pa bllokim rrugësh dhe brenda çdo norme. Ende nuk dihet nëse do arrestohen apo jo por një gjë e tillë do tensiononte situatën me banorët e zonave të përmbytura.