Kryetari i Partisë Socialiste në fshatin Gomsiqe e Re të Velipojës në Shkodër David Ndoci është bërë pre e një atentati me armë. Dy mjetet e kreut të PS në Gomsiqe të Re janë qëlluar nga persona ende të paidentifikuar. Ka qenë ora 2:00 e mëngjesit kur në drejtim të dy mjeteve që ndodheshin para shtëpisë të David Ndocit në një kodër të vogël është qëlluar me armë zjarri.

Nga të shtënat nuk ka të lënduar në njerëz pasi askush nuk ndodhej brenda makinave. Dy mjetet tip Ford Fiesta dhe Benz në pronësi të 36 vjeçarit janë dëmtuar. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë duke nisur një hetim lidhur me këtë ngjarje.

Sipas burimeve pranë policisë por edhe nga banorë të zonës shtetasi David Ndoci dje në orët e pasdites vonë ka bërë një debat lidhur me politikën me një të afërm të tij lidhur me forcat politike që ata mbështesin duke qenë se i afërmi i tij nuk mbështet më PS-në në atë zonë. Sipas burimeve dy shtetasit kanë debatuar në mes të rrugës përballë njësisë administrative të Velipojës dhe janë larguar.

Shtetasi David Ndoci ngjarjen e ndodhur nuk e ka lidhur me atë debat që ka patur pasi në polici ai ka deklaruar se nuk ka ndonjë konflikt me kend dhe se nuk e ka idenë se kush mund të ketë qëlluar me armë në drejtim të dy mjeteve të tij. Policia ka shoqruar personin tjetër me të cilin ka debatiar por më pas është lënë i lirë sepse ka mohuar të jetë ai autori i kësaj ngjarje.

Në afërsi të vendit ku ndodhi ngjarje ndodhen disa kamera sigurie por nuk rezulton asnjë kalimtar apo mjet të ketë kaluar duke hedhur dyshime se autorët mund të kenë ardhur në këmbë nga pjesa malore dhe më pas janë larguar pasi kanë qëlluar.

Policia vijon hetimet ndërsa deri më tani nuk është arritur zbardhja e kësaj ngjarje. Një dyshim është për arsye politike duke qenë se David Ndoci është kryetar i PS në Gomsiqe të Re por policia po heton edhe ndonjë pistë tjetër të mundshme.