
Sekuestrohet mbi një ton kanabis në fshatin bregdetar të Vilunit në Velipojë. Lënda narkotike u sekuestrua nga Forcat Operacionale nga Tirana në një operacion të mbajtur sekret për shkak të frikës nga dekonspirimi.
Ndërhyrja është bërë në momentin që trafikantët po e transportonin me furgon nga Shkodra në një hotel në Vilun, ndërsa më pas do të ngarkohej në gomone per t’u trafikuar në Itali. Në flagrancë është arrestuar efektivi i policisë Prel Zylja. Polici mësohet se është vëllai i Ndrek Zylës, zv/ komandant i kufirit, ndërsa një person tjetër ka mundur që të shpëtojë duke u arratisur nga vendi i ngjarjes.
Operacioni ka qenë sekret, ndërsa Forcat Operacionale nga Tirana mësohet se u kanë thënë policëve të patrullës së Shkodrës që të ruajnë furgonin pasi ka disa hajdutë. Në momentin që droga po shkarkohej nga furgoni për në bodrumin e hotelit në Vilun Forcat nga Tirana ndërhynë.
Policia kishte rënë prej disa kohësh në gjurmët e trafikantëve pas përgjimeve, ndërsa u vërtetua dyshimi per lidhje me policinë. FNSH dhe Forcat Operacionale kanë ngritur pika kontrolli në fshatrat Rrioll dhe Baks në Shkodër, pasi dyshohet për persona të tjerë që janë të përfshirë.






