Prej disa ditësh një zjarr ka përfshirë vendin e quajtur Maja e Zezë në fshatin Rrjoll të njësisë Velipojë në Shkodër. Fillimisht zjarri ka nisur në majën e malit dhe gradualisht ka vijuar që të përhapet. Është ende e paqartë arsyet e rënies së këtij zjarri por burime pranë banorëve të fshatit Rrjoll bëjnë me dije se janë djegur një sasi e konsiderueshme pyjesh dhe pemësh shekullore që ndodhen atje.

Ky zjarr ka vijuar që të përparojë nga Maja e Zezë në drejtim të pjesës së poshtme të malit. Momentalisht zjarri ndodhet ende shumë larg shtëpive por në ditët në vijin në rast se vazhdon duke përparuar atëherë mund të rrezikojë që t’i afrohet edhe më shumë banesave të fshatit që janë rrëzë malit të ka rënë zjarri. Ndërkohë nga sa mësohet ndërhyrja për të shuar flakët është pothuajse e pamundur sepse duhet vetëm përmes ajrit për shkak të terrenit tëjet të thyer malor ku mjetet zjarrëfikëse e kanë të pamundur që të ngjiten atje.

Në rast se zjarri vjen në pjesën e poshtme të malit atëherë zjarrëfikëset mund të angazhohen që të ndërhyjnë me mjete rrethanore për të bërë të mundur që flakët të mos rrezikojnë banesat. Ndërkohë zjarri përveç pjesës së poshtme po përparon edhe në drejtim të rërës së hedhur në Shëngjin. Kjo nuk është hera e parë që flakët përfshijnë Majën e Zezë në fshatin Rrjoll të Velipojës sepse edhe vitet e mëparshme ka ndodhur e njëjta situatë por duke shkaktuar dëme vetëm në pyje dhe pemë dhe jo në banesa.

Sipas burimeve mendohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm por kjo është e pakonfirmuar edhe pse dyshimet janë të forta. Këto ditë zjarret përveç Majës së Zezë në Velipojë kanë përfshirë edhe disa maje të larta në Malësinë e Madhe për ditë të tëra duke shkaktuar po ashtu dëme të konsiderueshme në pyje. Edhe atje mendohet se zjarret janë të qëllimshme ndërsa ndërhyrja për shkak të terrenit malor mbetet gjithashtu thuajse e pamundur duke përjashtuar ndërhyrjen nga ajri përmes helikopterëve.