Një zjarr ka përfshirë një hotel 3-katësh në plazhin e Velipojës si shkak i shpërthimit të bombolave te gazit. Ngjarja ndodhi rreth orës 6:45 të mëngjesit. Të dëmtuar janë vetëm katër anëtarë të familjes Gjoka që kanë në pronësi hotelin, Alketa Gjoka, 40 vjeçe dhe tre fëmijët e saj Daniela Gjoka 19 vjeç dhe dy të mitur K.Gj 15 vjeçe dhe E.Gj 12 vjeç. Menjëherë janë transportuar fillimisht drejt spitalit rajonal të Shkodrës për të marrë ndihmën e parë.

Dy të miturit K.Hj 15 vjeçe dhe E.Gj 12 vjeçjanë transportuar me një helikopter drejt Tiranës për shkak të gjendjes shëndetësore më të rëndë se dy anëtarët e tjerë të familjes Gjoka.

Në vendngjarje fillimisht ka mbërritur ambulance e Velipojës. Infermierja Vjollca Voci e cila ka dhënë ndihmën e parë katër personave të përfshirë nga flakët tregon se gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë për shkak se kanë pësuar djegie në më shumë se 80% të trupit.

Brenda hotelit nuk kishte persona të tjerë përveç kësaj familjeje e cila po e bënte gati hotelin për të pritur pushues. 40 vjeçarja Alketa Gjoka është zgjuar në mëngjës për të bërë një kafe por menjëherë ka ndodhur shpërthimi i disa bombolave të gazit 5 litërshe. Më përpara dyshohet se ka patur rrjedhje të gazit ndaj edhe ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm. 3 fëmijët e 40 vjeçares kanë qenë në gjumë në momentin kur ka rënë zjarri ndaj edhe kanë pësuar djegie të konsiderueshme në trup. Të plagosurit ndodhen nën kujdesin e mjekëve ndërsa policia dhe efektivët zjarrëfikës vijojnë hetimet për të nxjerrë shkaqet e plota të këtij zjarri të rënë.