Në një konferencë për mediat një ditë para vëllazërores me Kosovën, portieri i Kombëtares Etrit Berisha ka shprehur vështirësitë e përballjes me përfaqësuesen e vendlindjes së tij.

Sipas gardianit kuqezi kjo përballje nuk është e lehtë, ndërsa shtoi se nëse një ditë bëhet një Kombëtare atëherë atë ekip do e kishte frikë e gjithë Europa.

“Nuk është e lehtë, por duke patur parasysh se është një miqësore ose vëllazërore siç quhen, gjërat janë më të lehta. Nëse do të kishim luajtur në kualifikuese ose në një ndeshje të rëndësishme, gjë që mund të ndodhë, për ne është shumë e vështirë. Unë e ndiej gjithmonë se është vendi im, si Kosova, si Shqipëria.

Dhe gjithmonë kam shkuar me bindjen se dua ti përfaqësoj të gjithë shqiptarët. Shpresoj që në të ardhmen të bëhet diçka, të bëhet një ekip pasi duke patur parasysh emrat që janë në Kosovë e në Shqipëri do të përbënin një ekip super që do e kishin respektin dhe frikën e gjithë Europa”, ndër të tjera Berisha.

Shqipëri-Kosovë luhet nesër në ora 16:00 në “Elbasan Arena”.