Mali i Zi ka reaguar mbi fusnotën që iu referua Kosovës edhe pse e ka njohur zyrtarisht si shtet në vitin 2008.

Ftesa për pjesëmarrjen në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në mesin e tetorit në Malin e Zi, i dërgua ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli në përputhje me statutin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), dhe u përdor terminologjia e pranuar nga pjesëmarrësit.

Ministria e Administratës Publike dhe Shoqërisë Digjitale e Malit të Zi tha se nuk ka asnjë shkelje në protokollin diplomatik.

“I gjithë organizimi është në përputhje me rregullat për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Kështu që ftesa e dërguar ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli nuk ka shkelur protokollin diplomatik dhe praktikat më të mira multilaterale”, tha Ministria e Administratës Publike dhe Shoqërisë Digjitale e Malit të Zi.

Në të gjitha dokumentet e mëparshme të Qeverisë së Malit të Zi, Kosova trajtohej në përputhje me vendimin për njohjen e pavarësisë, duke mos e përdorur fusnotën.

Nga Ministria e Ekonomisë së Kosovës nuk kanë komentuar deri më tani lidhur me këtë ftesë.