
Në ambientet historike të Xhamisë së Plumbit, në kuadër të veprimtarive përkujtimore të 35-vjetorit të rikthimit të lirisë së besimit, u zhvillua një program i pasur fetar e kulturor. Në këtë aktivitet morën pjesë imamë, intelektualë, personalitete të jetës publike dhe besimtarë nga zona e Shkodrës dhe më gjerë. Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, në fjalën e tij ndaloi te rëndësia e këtij përvjetori, roli simbolik i Xhamisë së Plumbit në historinë e qytetit dhe domosdoshmëria e kultivimit të vlerave të paqes, moralit dhe solidaritetit në shoqëri.
Një nga zërat e parë të nismës për rihapjen e kësaj xhamie, Mehdi Myftia, solli kujtime të paharruara nga periudha e atyre përpjekjeve, duke vlerësuar kontributet që mundësuan rikthimin e jetës fetare në këtë vend të shenjtë.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe shfaqja e një materiali filmik dokumentar, që rikujtoi atmosferën e 16 nëntorit 1990, ditën që shënoi ringjalljen e besimit dhe hapjen e një epoke të re për komunitetin musliman të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. Aktiviteti u mbyll me një kokteil festiv për të gjithë të pranishmit.






