Emigrantët nga Ballkani janë bërë një pjesë e rëndësishme e tregut të punës në Gjermani. Sipas të dhënave nga Bruegel, një organizatë kërkimore, shqiptarët në Gjermani dominojnë në punët me aftësi të ulëta dhe të mesme dhe ndër më të ulëtit në rajonin e Ballkanit për punë të kualifikuar.

Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të punonjësve në profesione me aftësi të ulëta dhe të mesme, dhe ndër më të ulëtat për punë të specializuara dhe eksperte.

Sipas raportit, 40.84% e shqiptarëve në Gjermani punojnë si “helper” (ndihmës), një kategori që përfshin punë të pakualifikuara ose gjysmë-kualifikuara, si punë fizike, logjistikë, shërbime dhe industri bazë. Ky është ndër nivelet më të larta në rajon, krahasuar me Bosnjën (30.43%) dhe Serbinë (33.59%).

Një pjesë tjetër e madhe, 48.94%, janë të punësuar si punëtorë të kualifikuar, që zakonisht përfshijnë profesione teknike, mekanikë, ndërtim, instalime, punë zanatçinjsh apo role me trajnime profesionale. Edhe pse kjo kategori tregon një shkallë më të lartë të formimit profesional, sërish mbetet larg vendeve të avancuara të BE-së, ku rolet e specializuara zënë një peshë shumë më të madhe.
Në kategoritë e larta profesionale, Shqipëria qëndron ndjeshëm më poshtë se vendet e tjera. Vetëm 4.54% e shqiptarëve në Gjermani punojnë si “specialistë”, si infermierë të kualifikuar, teknikë të avancuar, profesionistë të shëndetësisë apo role që kërkojnë diploma të caktuara. Ndërkohë, vetëm 5.53% janë në kategorinë “ekspert”, e cila përfshin profesionistë me arsim të lartë universitar, inxhinierë, IT specialistë, ekspertë financiarë apo role të tjera të nivelit të lartë.

Artikulli paraprakSHKODËR, POLICIA NË 24 ORË, 28 VJEÇARJA LARGOHET NGA BANESA
Artikulli tjetërAPELI LË NË FUQI ‘ARRESTIN ME BURG’ PËR XHAXHAIN E VRASËSIT TË GJYQTARIT KALAJA