Vetëm 40 ditë nga zgjedhjet e pjesshme vendore, drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun Shkodër ka dhënë dorëheqjen nga ky pozicion. Një prej 6 bashkive që do të ketë zgjedhje më 6 mars është pikërisht ajo e Shkodër.

Bushati i ka dorëzuar dorëheqjen Bashës edhe me argumentin se në Shkodër duhet një figurë më konsensuale për të bashkuar demokratët.

“Të dashur miq! Bashkëqytetarë dhe shkodranët e mi të nderuar! Pas një reflektimi të thellë rreth situatës politike dhe zhvillimeve në PD, kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga roli i Drejtuesit Politik për Qarkun e Shkodrës. Këtë qëndrim, e kam komunikuar me drejtuesit e PD, përpara kësaj shpallje.

PD po kalon momente të vështira por unë jam i bindur se demokratët do të dinë të bashkohen shpejt, e të ringrihen së bashku. Çfarë i afron sot anëtarët e familjes sonë të madhe politike me njëri-tjetrin është shumë më e madhe se ajo që i ndan, dhe sidomos nevoja jetike që ka vendi për një përballje të fortë me regjimin e mandatit të tretë.

Mendoj se me këtë tërheqje timen, krijohen mundësi për energji dhe impulse që do t’i shërbenin PD me synim përbashkimin”, shkruan në postimin e tij Helidon Bushati.

Artikulli paraprakSHKODËR, GRUPI I RITHEMELIMIT TË PD ZBULON KANDIDATËT
Artikulli tjetërSHKODËR, MYFTIU VIZITON PRIJËSIT E KRISHTERË