Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar në një emisionin ka thënë se politikanët “vetëm recitojnë”, ndaj kjo është dhe arsyeja se gjithnjë e më pak, i fton në emisionin e tij. Ai tha se këta politikanë janë me dhjetëra, nga të dyja kampet politikë, si nga ato të mazhorancës dhe të opozitës, ndërsa theksoi se me ata persona nuk debaton dot, pasi nuk kanë rrjedhë logjike.

“I vetmi person që ne e sjellim dhe e stërsjellim zvarrë nëpër studio është Dashamir Shehi. Të gjithë politikanët e tjerë po i shmangim nga studio sepse janë recitues të mërzitshëm. Nuk ka më lidhje mes politikës dhe publikut. Sot një politikan si e bën karrierën? Mjafton ta mbajë mirë me kryetarin e partisë. Dalja e Berishës është një komunikim i parë me zgjedhësit. Tek Rama ka ndodhur më shumë, sepse pasi ai mori PS në 2005 kontestohej nga baza, sepse baza ishte shumë e lidhur me Nanon. Edhe sot Nano është lider karizmatik në PS. Rama thotë që nga 2005 deri në 2009 ka bërë 3 ture dhe njerëzit i thonin se e njohin Nanon si kryetar partie.

Unë po ju them çfarë nuk funksionon. Nuk funksionon komunikimi me publikun. Kjo vlen edhe për PS. Unë ju garantoj, se nuk dua të përmend emra për etikë, mund të jenë dhjetëra politikanë nga PS që nuk do t’i fusja kurrë në studio vetë. Edhe kur i sjell partia tani nuk i marr më me sjellje partie. Ju garantoj që ka po kaq nga PD që nuk i fut dot në studio se nuk mbajnë përgjegjësi. Me këta persona nuk debaton dot, fillojnë recitojnë dhe nuk kanë rrjedhë logjike.

Kjo nuk të ndodh me politikanët që janë bërë vetë. Çdo njeri shkon vetë për ta marrë votën. Çfarë ndodhë? Sot ai mund të bëjë idiotin, më fal për shprehjen, dhe nuk çan kokën përsa kohë kryetari i partisë i thotë që dole mirë. Ndërkohë nuk mund ta bënte idiotin kur shkonte për të marrë votën në publik, se ai publik atje nuk është budalla”, tha Blendi Fevziu.