Procesi i Vetingut do të rifillojë në vitin 2020 me shqyrtimin e kërkesës së Komisionerit Publik për shkarkimin nga detyra të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, me pretendimin se nuk justifikon një pjesë të pasurisë. Seanca e parë do të zhvillohet paraditen e së mërkurës, 8 dhjetor 2020, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, me trupë gjykuese të kryesuar nga Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari relator si dhe me anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci dhe Sokol Çomo.

Prokurori Besnik Cani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në nëntor të vitit 2018, pavarësisht disa problematikave të konstatuara sa i përket kriterit të aftësisive profesionale si dhe dyshimeve sa i takon etikës. Më pas, Cani u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Por, përfaqësues nga SHBA-BE në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, në janar të 2019, i rekomanduan Komisionerit Publik që të kërkonte rrëzimin e vendimit të KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Në rekomandimin e ONM, përpos të tjerave, theksohet se prokurori Cani ka tentuar të përfitojë një kredi të butë në Bashkinë e Fierit, ndërsa nuk ka hetuar ish-krybashkiakun e Fierit Baftjar Zeqo si dhe disa tendera të dyshuar si abuzivë në Elbasan.

Në shkurt të 2019, Komisioneri Publik pranoi rekomandimin e ONM-së, ndërsa i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e anëtarit të KLP-së Besnik Cani nga detyra, duke ngitur disa pretendime sa i takon pasurisë, aftësive profesionale dhe etikës. Sipas Komisionerit ‘përfitimi jashtë kritereve ligjore të statusit të pastrehë i familjes së subjektit, në qytetin e Fierit,

ndërkohë që ky i fundit ushtronte funksionin e drejtuesit të Prokurorisë në këtë qytet, që po hetonte të njëjtët subjekte shtetërore për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në trajtimin e familjeve me kredi të buta, është rrjedhojë e përfitimit të padrejtë për shkak funksioni dhe bie ndesh me përmbushjen e standardeve të etikës profesionale.

Komisioneri Publik, në ndryshim nga përfundimi i Komisionit, vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka cenuar etikën e magjistratit (neni 61/4), e për rrjedhojë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë (neni 61/5)’. Për të gjitha pretendimet e Komisionerit dhe ONM, Cani do të paraqesë versionin e tij para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Në 13 janar, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të nisë shqyrtimin e kërkesës së kryetarit të Gjykatës së Pukës Izet Kadana për të rrëzuar vendimin e shkallës së parë të Vetingut, i cili e ka shkarkuar nga detyra. Ndërsa me 15 janar, Kolegji do të shqyrtojë kërkesën e kryetarit të Gjykatës së Korçës Admir Belishta për t’u rikthyer në detyrë.

Ndërkaq, në 16 janar, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vijojë shqyrtimin gjyqësor të kërkesës së Komisionerit Publik për Shkarkimin nga detyra të prokurorit të Apelit në Shkodër, Arben Dollapaj.

Ky i fundit është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi kundërshtihet nga Komisioneri. Gjatë këtyre seancave, priten përballje të forta mes njerëzve të drejtësisë nga njëra anë dhe ONM e Komisionerit Publik nga ana tjetër.