“Vetting-u” e zgjedhjet, reporterët e KiE me mision faktmbledhës në Tiranë

 

Zhbllokimi i procesit të “vetting-ut” dhe përgatitjet për zgjedhjet e qershorit pritet të jenë temat kryesore të misionit faktmbledhës të dy bashkëreporterëve të Këshillit të Europës, deputetit gjerman Andrej Hunko dhe atij irlandez, Joseph O’Reilly. Duke nisur nga e hëna në mengjes e deri më 1 mars, të dërguarit e Strasburgut nisin takimet me krerët e politikës shqiptare, në një kohë kur opozita ndodhet prej disa ditësh në çadrën e protestës dhe Reforma në Drejtësi ndodhet në udhëkryq. Misioni i reporterëve të Këshillit të Europës për Shqipërinë pason takimet me politikën shqiptare të zhvilluara së fundi nga homologu i tyre në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. Në rezolutën e fundit të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, bashkëreporterët kanë vënë në dukje se zbatimi praktik i Reformës në Drejtësi, – proces që nis me “vetting-un”, rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, – mbetet kushti kryesor për hapjen e negociatave për integrimin në BE. Strasburgu ka bërë gjithashtu thirrje vazhdimisht që të arrihet konsensus mes të gjithë faktorëve politikë për Reformën Zgjedhore dhe vijimin e procesit të Dekriminalizimit. Për sa kohë nuk ka rezultate të prekshme dhe konsensus politik për reformat, Shqipëria do të mbetet në listën e monitorimit, krahas Armenisë, Azerbajxhanit, Bosnje-Hercegovinës, Gjeorgisë, Moldavisë, Federatës Ruse, Serbisë dhe Ukrainës.