Vettingu, ekspertët britanikë në Shqipëri për pastrimin e parave

Komisioni i Venecias, javës që vjen pritet të japë opinionin përfundimtar mbi ligjin e Vettingut, ndërsa mesa duket Bashkimi Evropian ka nisur punën për zbatimin e tij. Pezullimi i përkohëshëm i Vettingut nuk e ka ndalur BE që të përgatisë terrenin dhe të japë asistencë mbi mënyrat se si do pastrohet sistemi i drejtësisë nga të korruptuarit. Ditët e fundit, në Tiranë kanë mbërritur dy ekspertë britanikë; Jonathan Fisher dhe Anita Clifford, të Qendrës së Krimit Zyrtar, të cilët, në bashkëpunim me Projektin e Avokatëve Ndërkombëtarë, kanë zhvilluar trajnime në Shkollën e Magjistraturës në luftën ndaj pastrimit të parave dhe evazionit fiscal. Mësohet se për dy ditë, ata kanë mbledhur prokurorë dhe gjyqtarë dhe kanë zhvilluar një seminar se si duhet të bëhet zbulimi i pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe sekuestrimi i parave të pista apo objekteve që janë vënë në mënyrë të jashtëligjshme. Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të agjencisë ku ata punojnë. Ata, thuhet në faqe, kanë dhënë asistencë edhe për ndryshimin e legjislacionit. “Evazioni është shumë i përhapur në Shqipëri dhe dhënia e llogarisë së shkelësve është e vështirë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për këtë takim. Në një vend ku shumë njerëz punojnë në të zezë dhe burimet janë të pakta, si mund të detyrohen ata të bëjnë të kundërtën? Këto janë dhe çështjet me të cilat përballen gjyqtarët e prokurorët në Shqipëri. “Evazioni fiskal dhe pastrimi i parave janë të lidhura ngushtë dhe nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën”, citohet në shkrim. Dhe në qoftë se ato nuk zbatohen, si mund të respektohen? Madje ata kanë dhënë alarmin se shumë zyrtarë në Shqipëri i shmangen sistemit të taksimit. Sipas tyre, në momentin që ka evazion fiskal, ka dhe pastrim parash. Për këtë arsye, ata kanë sugjeruar që gjatë procesit të verifikimit të gjyqtarëve e prokurorëve të kontrollohen dhe bizneset që ata kanë dhe sa të rregullt janë me sistemin fiskal. Një tjetër fushë, sipas tyre, është dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Agjenci të ndryshme botërore, do të ndihmojnë në zbulimin e pronave dhe parave të dërguara jashtë vendit.