Ashtu siç është paralajmëruar nga Ministria e Drejtësisë për verifikimin e pastërtisë së figurës së policëve të burgjeve (vetting-un) në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po kryen verifikimin e të dhënave penale të të dënuarve të raportuar nga regjistri i gjëndjes gjyqësore për të gjithë punonjësit e policisë gjyqësore, në të gjitha nivelet. Ky verifikim bazohet në Nenin 17 pika 1/d i Ligjit nr. 10032 “Për Policinë e Burgjeve”, ku shprehimisht thuhet se një nga kriteret e përgjithshme për t’u pranuar në Policinë e Burgjeve është që personi të “mos jetë dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë”.

Bazuar në verifikimin e kryer nga strukturat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve deri tani rezulton që rreth 130 persona janë me dënime penale. Në realizim të objektivit për garantimin e integritetit të punonjësve në çdo IEVP, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, si masë paraprake do të fillojë procedimin disiplinor ndaj personave që kanë rezultuar me rekorde penale.