
Një grup turistësh të huaj kanë mbetur të bllokuar në aksin e Qafë Thores për shkak të orteqeve me borë që kanë rënë në hyrje të tuneleve në rrugën që të çon drejt Thethit. Në këtë mënyrë janë rreth 15 persona të cilët prej disa orësh janë të bllokuar dhe po presin hapjen e rrugës në Qafë Thore për të vijuar më pas lëvizjen.
Turistët i kanë bërë apel Emergjencave Civile dhe autoriteteve të tjera që të bëjnë të mundur sa më parë zhbllokimin e rrugës në Qafë Thore pasi ndodhen në vështirësi në mes të borës dhe të ftohtit. Rënia e orteqeve në mënyrë të papritur ka ndodhur gjatë orëve të natës duke bllokuar segmentin e Qafë Thores që lidh Shkodrën me fshatin turistik të Thethit.
Ndërkohë menjëherë pas rënies së ortekut, Autoriteti Rrugor Shqiptar i Rajonit të Veriut ka nisur punën për të bërë të mundur hapjes e rrugës. Aktualisht fadromat po punojnë në mënyrë intensive në të dy anët e rrugës për të arritur hapjen e saj sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky është viti i parë që rruga Bogë-Theth është mbajtur e hapur sepse për 30 vite ai aks ka qëndruar i bllokuar nga bora deri në 7 muaj. Kalimi i atij aksi nën administrimin e ARRSH ka bërë që këtë vit situata të ndryshojë. Të vetmet moment kur rruga është bllokuar ka ardhur si shkak i rënies së papritur të orteqeve por brenda pak orësh është bërë e mundur hapja e rrugës. Edhe ditën e sotme fadromat po punojnë dhe pritet hapja e rrugës për të bërë të mundur zhbllokimin e turistëve të huaj dhe gjithë të tjerëve që duan të shkojnë drejt Thethit apo nga Thethi në Shkodër.