Bastisen zyrat e kompanisë ku është aksioner bashkëshorti i deputetes socialiste Mimoza Hafizi.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e të dielës, ndërsa autorët mundën të merrnin pa thyerje kasafortën e zyrës në të cilën ndodheshin rreth 300 mijë dollarë. Ndërkaq zyrtarë të policisë së komisariatit nr.2, thanë për Shqiptarja.com se janë vjedhur vetëm 6 milionë lekë të vjetra dhe jo 300 mijë $. Vjedhja u konstatua vetëm pasditen e të dielës nga administratorët që më pas njoftuan edhe policinë, e cila nisi hetimet me kqyrjen e vendit të ngjarjes dhe marrjen e dëshmive të ndryshme. Sipas policisë persona të paidentifikuar mëngjesin e të dielës, hynë në zyrat e kompanisë së ndërtimit, aksioner i së cilës është edhe Hasan Hafizi. Që aty autorët arritën të shkëpusnin kasafortën në të cilën ndodhej shuma e parave. Punonjësit e kompanisë ku administrator është Sherif Rakipaj, i thanë policisë se në kasafortë ka qenë një shumë parash dhe më pas janë futur edhe rreth 250 mijë dollarë të tjera, duke e çuar shifrën që mund të jetë vjedhur në më shumë se 300 mijë dollarë. Nga dëshmitë e marra nga policia është mësuar se autorët janë afruar me një triçikël që përdoret për transport mallrash të vjetra, për t’u fshehur më mirë. Nga informacionet e marra nga policia dyshohet se autorët kanë qenë së paku tre persona të veshur me xhupa me kapuç dhe së bashku mundën të zbrisnin kasafortën duke u larguar në drejtim të panjohur. Pamjet e disa kamerave filmike, të zonës aty pranë nuk e kanë ndihmuar policinë për të zbardhur krimin. Hetuesit ndërkaq kanë shoqëruar në ambientet e policisë së paku 10 persona të dyshuar për ngjarjen.