
Një nga veprat më të mëdha të letërsisë shqiptare, “Lahuta e Malcis” e poetit kombëtar At Gjergj Fishta, u vu në skenën e Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë, përmes një dramatizimi artistik që preku zemrat e publikut.
Shfaqja u realizua me regji të Kol Kunores dhe interpretimet e aktorëve Mark Hilaj, Mario Paloka, Keslin Perdoda, Alesia Alcani dhe Gerald Ndreca, ndersa një element i veçantë ishte prania e lahutarit Pretash Nilaj (Mjeshtër i Madh), i cili ndërthuri tingujt e lahutës me interpretimin teatror, duke krijuar një përvojë autentike dhe emocionale për publikun.
Regjisori Kol Kunora u shpreh se vënia në skenë e “Lahutës së Malcis” ka qenë një ëndërr e tij, ndërsa në këtë shfaqje janë përzgjedhur dhe dramatizuar pjesët kryesore të veprës, ato që lidhen kryesisht me Lezhen.
Ky realizim artistik, që zgjati rreth 60 minuta, erdhi si pjesë e programit “Tetori Fishtjan”, kushtuar trashëgimisë së pasur kulturore të një prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar, At Gjergj Fishta.






