
Situata hidrike në kaskadën e lumit Drin paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa shkarkimet po vijojnë
Sipas të dhënave zyrtare, niveli i liqenit të Fierzës është në 292.4 metra, në Koman 171.97 metra dhe në Vau i Dejës 74.08 metra. Prurjet natyrore në kaskadë arrijnë në rreth 2200 metra kub për sekondë, ku 1500 m³/s regjistrohen në Fierzë, 550 m³/s në Koman dhe 150 m³/s në Vau i Dejës.
Nga HEC Vau i Dejës aktualisht po kryhen shkarkime totale prej 1400 metrash kub për sekondë, prej të cilave 900 m³/s nga tuneli i shkarkimit dhe 500 m³/s nga prodhimi i energjisë elektrike.
Autoritetet bëjnë me dije se rreth 60 për qind e prurjeve ujore në kaskadë po shkarkohen në mënyrë të kontrolluar, çka po kontribuon në minimizimin e rrezikut të përmbytjeve në zonat e ulëta.
Korporata Elektroenergjitike siguron se situata po ndiqet në kohë reale dhe se për çdo ndryshim do të informohen në mënyrë transparente institucionet përgjegjëse dhe opinioni publik.


