
Bashkia Shkodër ka vijuar aksionin për largimin e automjeteve të braktisura që zënë hapësirat publike dhe pengojnë përdorimin normal të rrugëve dhe ambienteve të përbashkëta në qytetin e Shkodrës. Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, bën me dije se automjetet janë evidentuar nga strukturat bashkiake, ndërsa pronarët janë njoftuar për detyrimin për t’i larguar ato brenda afatit të përcaktuar.
Pas përfundimit të afatit dhe në rast se automjetet nuk largohen nga pronarët, Policia Bashkiake ka nisur ndërhyrjet për heqjen e tyre nga rrugët dhe hapësirat publike.
Aksioni synon të rikthejë në përdorim hapësirat e zëna prej mjeteve të braktisura, duke përmirësuar qarkullimin dhe pamjen e lagjeve të qytetit.
Bashkia u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë, duke mos i lënë automjetet e papërdorura në hapësira publike dhe duke sinjalizuar rastet e tjera që hasin në lagjet e tyre.






