Varrezat qindravjeçare myslimane në dalje të qytetit të Shkodrës vijojnë të dëmtohen nga viti në vit.

Të lëna në harresë prej kohësh, këto varreza me shumë vlerë historike për Shkodrën, e kanë humbur pamjen e tyre të dikurshme. Asnjëri prej institucioneve vendore nuk është kujdesur për mirëmbajtjen e tyre. Myftinia e Shkodrës është e vetmja që ka dhënë kontribut për rrethimin e varrezave dhe disa herë pastrimin e sipërfaqes. Aktualisht, myftinia ka angazhuar edhe një roje për mbikëqyrjen e hapësirës së tokës, por kjo përsëri nuk ka rezultuar e mjaftueshme për ruajtjen e kësaj vlere të përbashkët. Muri rrethues i ndërtuar para disa vitesh është dëmtuar në shumë vende si pasojë e aksidenteve automobilistike të ndodhura gjatë natës. Nga ana tjetër, mbetje të shumta urbane janë hedhur përreth varreve, çka e rëndon akoma më tepër situatën.

Në shumë raste janë thyer edhe pllakat me mbishkrime të vjetra. Nga njëra anë si pasojë e viteve të shumta, ndërsa nga ana tjetër dëmtimi nga persona të papërgjegjshëm, kanë ndikuar në krijimin e një panorame aspak pozitive në varrezat e vjetra myslimane. Nevoja për ndërhyrje është emergjente, pasi dëmet e shkaktuara gjatë viteve janë të shumta. Në këtë hapësirë periferike të qytetit janë varret e disa prej figurave të shquara të Shkodrës që jetuan gjatë viteve 1800-1900, por as kjo nuk ka ndikuar që të ketë një angazhim real për mirëmbajtjen e tyre.

Artikulli paraprakINTERNETI I SIGURTË, FILM ME HISTORI TË VËRTETË
Artikulli tjetërCUNGU: KEQARDHJE KUR TË SULMOJNË SHKODRANËT