Historitë njerëzore  na bënë të gjithë të përlotemi në mesin e tragjedisë së tërmetit.
Histori njerëzore të shuara mes fatit tragjik të këtij tërmeti që me intensitet të ndjeshmërisë 8 ballë dhe që zgjati rreth 30 sekonda.

Një vdekje që askush nuk do e dëshironte të tillë: Në përpjekje për të shpëtuar njerëzit e zemrës, disa prej të cilëve i kanë mbrojtur edhe me trupin e tyre. E tillë ishte historia e trishtë e një gjysheje në Thumanë, e pajetë nën rrënoja, teksa nga prehri i saj ekipet e shpëtimit nxorën të gjallë nipin e saj të vogël.

Një balerinë humbi jetën në punë në një hotel në Durrës, një polic në detyrë, familje të shuara, e histori edhe më të trishta si e një të riu që nuk mundi të shijojë lirinë e fituar vetëm dy ditë para tërmetit kur kishte dalë nga burgu. Goditjen më të fortë, e ka marrë familja Cara në Thumanë. Ka mundur të mbijetojë vetëm kryefamiljari dhe vajza e xhaxhait të tij, e cila u nxorr gjallë pas rreth 18 orësh nga lëkundja, pa nënën e saj dhe vajzën të cilat i la nën rrënojat e pallatit 5-katësh. Po sjellim disa nga historitë njerëzore të kësaj tragjedie
Nënë e bir të përqafuar gjenden të pajetë nën rrënojat e 6-katëshit në Durrës.Ato janë motra dhe nipi i Edison Konomit, ish-drejtor i doganave në Durrës. Nëna 47-vjeçe dhe djali 22-vjeç janë gjetur të përqafuar me njëri-tjetrin ndërkohë që misioni për shpëtimin e tyre po vështirësohet për shkak se mbi ta është rrëzuar edhe një kolonë tek 6 katëshi në lagjen 18 në Durrës.

Sadri Çakoni një qytetar nga Thumana i cili humbi mbi 6 familjarë nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë. Ai tregon gjendjen e tij të dëshpëruar.

“Unë quhen Sadri Cakoni që jetoj kot që nuk më duhet jeta më. Nuk e di sa njerëz mund të kem humbur pjesëtarë të familjes po shikoj vëllezërit tanë nga Kosova që marrin pjesë të na lehtësojnë dhimbjen por jemi pranë humbjes së logjikës. Duhet të jenë nën rrënoja edhe 6-7 anëtarë të familjes sime të vdekur. Më ka mbetur vetëm një dhëndër me dy nipa. Me motër me mbesë me nuse nipi me goc vëllai kanë humbur jetën. Nuk po di të numëroj më. Unë nuk kam qenë këtu kam qenë jashtë”, tregon Sadri Çakoni.

Burrë e grua Pëllumb dhe Çelike Greku janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e banesave në Thumanë. Ata kanë qëndruar për më shumë se 24 orë nën rrënoja ndërkohë që janë nxjerrë mëngjesin e sotëm pa asnjë shenjë jete. Djali i tyre Saimir Greku u nxor i gjallë nga rrënojat por humbi jetën në spitalin e Traumës.

Janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e pallatit në Thumanë, Keli Çupi dhe babai i tij Hajredin Çupi. Keli Çupi ishte kthyer nga Anglia vetëm dy ditë më parë. Një ditë më parë nga rrënojat u nxor i gjallë djali tjetër i Hajredin Çupit.

Do të ishte dermatologe e ardhshme. Por ëndrrat e Kristi Reçit, studente e Mjekësisë në Tiranë, u prenë në mes. Ajo humbi jetën nën rrënoja në lagjen numër 18 në Durrës në një pallat 6 katësh i cili u shemb.Fati për familjen e saj ishte tragjik. Kristi Reçi humbi edhe babain, Eduardin, nënën Dolora dhe vëllain 22-vjeçar, Klausin, të cilët janë nën rrënojat e pallatit 6 katësh.Kristi Reçi kishte një ëndërr: të bëhej doktoreshë dermatologe dhe të vazhdonte jetën në shërbim të komunitetit si mjeke.

Aktivistja Elona Caslli shkruan: “Mes shumë dhimbjesh, lotëve dhe trupave nën rrënoja që u nxorën pa frymë, ishte edhe trupi i një mjekeje të ardhshme si Kristi Reçi. Thonë se toka merr më të mirët. Thonë se më të mirët ikin gjithmonë më shpejt. Gjithçka thuhet apo thonë, një gjë mund të thuhet me siguri- Ishte e parakohshme ikja jote!”

Diena Meçaj Karanxha 30-vjeçare doli e gjallë nga rrënojat e një pallati 6-katësh në Durrës në lagjen numër 18, teksa vajza e saj 8-vjeçare Eisela kishte ndërruar jetë nën rrënojat e godinës. Por nuk mundi të mbijetojë gjatë. Diena Meçaj ndërroi jetë në spital. Nën rrënoja mbeti dhe nëna e saj, Roza Meçaj, duke shuar kështu një familje.

Më herët policia kishte njoftuar se “pas shkollës së “Mjeshtërisë” në rrënojat e një pallati 6-katësh, pas 14 orë përpjekjesh, forcat speciale Renea, bënë të mundur nxjerrjen e 30-vjeçares e cila është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Rreth 2 orë më parë, Renea nxori edhe vajzën e saj të mitur 8-vjeçare e cila kishte humbur jetën”.
Historia e kësaj familje është e trishtë. Vite më parë Diena kishte humbur bashkëshortin e saj.Ne vitin 2015 ajo kishte lënë një shënim në Facebook dedikuar bashkëshortit të saj që kish ndërruar jete.

“Mendoja gjithmonë që zoti më kishte dhënë shumë lumturi, duke pasur një shok e një bashkëshort si Dori im, por jeta qenka një sprovë e vërtetë. Më mungon shume bebi im”, shkruante ajo. Diena ishte piktore, ndërsa shpesh kishte dalë edhe në media si organizatore ekspozitash me piktura.