
Muzika e periudhës baroke u soll ndryshe nga violinisti lezhjanë Fabio Markolaj, ku tingujt u shndërruan në një histori të gjallë artistike. Në fokus të këtij aktiviteti ishte krijimtaria e Antonio Vivaldit, veçanërisht cikli i njohur “Katër Stinët”, një vepër që ndërthur në mënyrë unike muzikën me ritmet dhe ndjesitë e natyrës.
Programi u pasurua me shpjegimin e pedagoges Alba Lagji, e cila solli për publikun një lexim më të thelluar të dimensionit artistik dhe narrativ të veprës. Më pas, interpretimi nga violinisti lezhjanë Fabio Markolaj, i shoqëruar nga Orkestra e Harqevet, i dha jetë emocioneve të kompozimit në skenë. Pas performancës, Lagji u ndal tek rëndësia e kuptimit të historisë që mbart çdo vepër muzikore, ndërsa Markolaj theksoi se roli i solistit është të transmetojë këtë histori me ndjenjë dhe autenticitet tek publiku.
Ky lloj prezantimi, që ndërthur shpjegimin me interpretimin live, po krijoj një lidhje më të afërt mes publikut dhe muzikës klasike, duke e kthyer koncertin në një eksperiencë më të plotë dhe të ndjerë artistike.






