
Në urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës vijojnë paraqitjet e qytetarëve për shkak të virozave të stinës. Shefi I repartit të urgjencës, mjeku Ardian Dajti, thotë se situata paraqitet e qetë dhe nën kontroll. Çdo ditë regjistrohen rreth 130-140 vizita, kryesisht pacientë me simptoma të lehta gripale dhe viroza sezonale.
Mjeku bën thirrje që qytetarët të paraqiten fillimisht te mjeku i familjes ose në poliklinikë, për të marrë shërbimin e nevojshëm mjekësor dhe për të shmangur fluksin e panevojshëm në urgjencë, veçanërisht kur nuk ndodhen në gjendje të rënduar shëndetësore.
Mjekët këshillojnë qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe, duke respektuar masat bazë të higjienës, shmangur kontaktet e panevojshme dhe duke u drejtuar për ndihmë mjekësore në strukturat parësore shëndetësore.






