Në fakt në rrugët e qytetit edhe në orët e paradites kur fëmijët duhet të jenë në shkollë ka shumë prej tyre që dalin e punojnë dhe nuk e ndjekin shkollën. I gjen kudo, në qendër të qytetit apo edhe në çdo lagje pothuajse në kërkim të qindarkave për të siguruar bukën e gojës. Disa dalin e lypin e të tjerë mbledhin metale për t’i shitur më pas për skrap.

Të zbathur, të veshur keq dhe me dorën shtrirë, herë duke lëshuar nën zë një lutje, e herë pa fjalë të zënë rrugën të bindur se ti e di se ç’po kërkojnë. Është kjo panorama e qendrës së qytetit të Shkodrës. Fëmijët në situatë rruge që shfytëzohen për të siguruar të holla, mbeten një nga problemet më shqetësuese të shoqërisë sonë.

Organizatat dhe shteti, deri tani kanë mundur vetëm të japin statistika dhe projekte, por ata i shohim kudo duke kërkuar lëmoshë. Punonjësit socialë të bashkisë Shkodër thonë se shifrat janë ulur ndjeshëm, por ende është shumë e vështirë për t’i mbajtur fëmijët larg rrugës. Kjo eshte nje situate e zakonshme ne qender te qytetit, ku duket se shteti, e ka humbur betejen per ti larguar nga rruga keta femije te cilet nuk e kane vendin aty.