Viti i ri shkollor 2016-2017 për sistemin e arsimit parauniversitar në mbarë vendin do të nisë në 13 shtator 2016.

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nëpërmjet Urdhrit nr.327, datë 23.06.2016, kanë përcaktuar strukturën e vitit të ri shkollor për gjithë sistemin shkollor parauniversitar. E marta e 13 shtatorit është dita e parë e shkollës si për shkollat 9-vjeçare, edhe për shkollat e mesme dhe shkollat profesionale. Ndërsa përfundimi i shkollës do të jetë në qershor 2016, por në data të ndryshme. Për arsimin bazë, viti shkollor nis më 13 shtator 2016 dhe mbaron më 9 qershor 2017. Pushimet e para për nxënësit e arsimit bazë fillojnë më 24 dhjetor 2016 dhe mbarojnë në 3 janar 2017. Në strukturën e vitit të ri shkollor për arsimin bazë, MAS-i ka reduktuar ditët e pushimeve. Kështu, nëse vitet e mëparshme nxënësit në muajin prill kanë pasur 5 ditë pushimi, vitin e ri shkollor periudha e dytë e pushimeve nis më 31 mars 2017 dhe mbaron në 2 prill 2017. Nxënësit e shkollave 9-vjeçare ashtu si edhe këtë vit, provimet e lirimit do t’i zhvillojnë në periudhën 10-30 qershor 2017. Shkollat e mesme mësimin do ta fillojnë në 14 shtator si pjesa tjetër, por viti shkollor për gjimnazet përfundon më vonë, në datën 16 qershor 2017. Vetëm maturantët vitin shkollor e nisin në 13 shtator dhe e mbarojnë në 31 maj 2017, pasi u nisin provimet. E marta e 13 shtatorit do të jetë dita e parë e shkollës edhe për nxënësit që ndjekin arsimin profesional. Ndërsa data e përfundimit të shkollës për shkollat profesionale është e ndryshme. Sa u përket periudhave të provimeve, në udhëzimin e përbashkët të MAS-it dhe MMSR-së përcaktohet se provimet përfundimtare për nivelet I dhe II zhvillohen në periudhën 5-16 qershor 2017, ndërsa për nivelin III provimet përfundimtare zhvillohen në periudhën 24-30 maj 2017. Dhe provimet e maturës, si pjesa tjetër e maturantëve, në periudhën 1-30 qershor 2017.

Artikulli paraprakBASHKIA SHKODËR, MIRATON PLANIN E VENDPARKIMEVE
Artikulli tjetërMBYLLET TREGU I GJËSË SË GJALLË NË STOM-GOLEM