
Viti i ri shkollor 2025-2026 nisi edhe në shkollat e qarkut të Lezhës.Pas pushimeve verore këtë të hënë të 8 shtatorit nxënësit, ju drejtuan institucioneve arsimore, ku një pjesë e tyre u ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Dita e parë e shkollës nisi me veprimtari të ndryshme artistike nëpër shkolla, ndërsa drejtuesit uruan nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri shkollor.
Por çuditerisht ndryshe nga çdo vit tjetër, institucionet arsimore kanë zgjedhur të qëndrojnë në heshtje dhe pa transparence.Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Lezhë dhe Zyrat Arsimore nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me numrin e nxënësve që janë ulur sot në bankat e shkollës, numrin e institucioneve arsimore që kanë hapur dyert, apo problematikat që shoqërojnë këtë fillimviti shkollor.Prej tre ditësh gazetarët kanë kërkuar zyrtarisht një përgjigje nga drejtuesit e arsimit, por interesimi i tyre është lënë pa përgjigje. Madje këtë të hënë, në ambientet e Drejtorisë Arsimore nuk është gjetur asnjë punonjës, çka e bën edhe më te rende mungesën e transparencës. Në një kohë kur shpopullimi dhe ulja e numrit të nxënësve është një realitet i prekshëm në shkollat e qarkut te Lezhës, heshtja e institucioneve të arsimit ngre pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si po menaxhohet një prej sektorëve më jetikë për të ardhmen e fëmijëve.






