
Presidenti Ilir Meta prej ditësh ndodhet në Itali, në takime me shqiptarët në komunat arbëreshe. Ditën e sotme ai ka vizituar Carfizzin vendlindja e shkrimtarit të mirënjohur Carmine Abate.
Meta shkruan se ishte i lumtur ta vizitonte dhe të nderohej me një pritje shumë të ngrohtë nga qytetarët, Kryebashkiaku, Mario Amato dhe autoritetet vendore.
Postimi
Carfizzi është një komunë mahnitëse Arbëreshe mbi det, me një pamje të mrekullueshme nga Joni, që nuk duhet lënë pa u vizituar.
Për më tepër që këtu është edhe vendlindja e shkrimtarit të mirënjohur Carmine Abate, nga ku mori frymëzimin për kryeveprat e tij të lexuara në mbarë botën. Falë mikpritjes tradicionale shqiptare dhe lidhjes së fortë me rrënjët kombëtare, që banorët e mrekullueshëm e dëshmojnë në përditshmërinë e tyre, çdo shqiptar që vjen në Carfizzi ndihet si në shtëpi. I lumtur ta vizitoja dhe të nderohesha me një pritje shumë të ngrohtë nga qytetarët, Kryebashkiaku, Mario Amato dhe autoritetet vendore. Inspiruese dashuria dhe përkushtimi i tyre, i dëshmuar në shekuj, për të trashëguar gjuhën, traditat, ritet fetare dhe kulturën e “Motit të Madh” të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, vlerë e përbashkët e Shqipërisë dhe Italisë, po aq europiane dhe botërore, që meriton sa më parë të bëhet pjesë e UNESCO.