Bashkia e Shkodrës po vijon të përballet me dëmtime dhe vjedhje të investime publike, duke u kthyer në shqetësim serioz. Hyrja e qytetit është rasti më i fundit, ku janë marrë rreth 400 metra kabllo, duke zhytur në errësirë një pjesë të këtij segmenti rrugor. Njësia e ofrimit të shërbimeve në bashkinë Shkoder ka ndërhyrë duke zëvëndësuar kabllon e vjedhur dhe riparuar defektin e shkaktuar, duke mundësuar kështu rikthimin në funksion të plotë të ndriçimit publik në atë aks rrugor.
Altin Salihi, shefi i Njësisë së ofrimit të shërbimeve në bashkinë e Shkodrës ju ka bërë thirrje qytetarëve të mbrojnë pronën publike, pasi çdo ndërhyrje e tillë është kosto shtesë për buxhetin e bashkisë dhe vetë qytetarëve si taksapagues.
Kohët e fundit investimet publike në Shkodër kanë qënë pre e dëmtimeve dhe vjedhjeve, duke ndikuar drejtëpërdrejtë në shtimin e kostove të mirëmbajtjes, por edhe për zbatimin e investimeve të reja. Bashkia Shkodër kërkon më shumë bashkëpunim si nga qytetarët, ashtu edhe organet ligjzbatuese për të vepruar ndaj të tilla fenomeve të përsëritura.