Në Fier dhe Vlorë vazhdojnë evakuimet e shpejta të banorëve që kërcënohen nga ujrat e lumit Vjosa. Pasdite, në zonën e Përmetit, lumi arriti në pikën që sinjalizon përmbytje të mëdha në Fier dhe Vlorë.

Përveç zonave që pushtoi gjatë ditës, në mbrëmje u lajmërua se fshati Kashisht në Frakull u përmbyt tërësisht. Në zonë kanë shkuar forcat e ushtrisë, rreth 10 mjete të larta dhe 100 ushtarë u shpërndanë nëpër banesa dhe në bashkëpunim me pushtetin lokal larguan prej andej 110 familje që rrezikohen nga përmbytja. Ndërkohë që në fshatin Ferras, niveli i Vjosës ka shkuar në 7 metra lartësi dhe policia nisi evakuimin e banorëve, ndërsa duheshin edhe 30 centimetra që uji të kalonte çdo pengesë. “Shtabi i Emergjencave të Prefekturës së Fierit, edhe me ndihmën e Forcave të Armatosura, kanë arritur të evakuojnë rreth 1500 banorë të fshatrave Ferras, Çerven dhe Kashisht.

Janë rreth 180 hektarë tokë bujqësore e mbuluar nga uji”, raporton gazetari i Top Channel, Gazmend Janku. Në Fier është hapur një qendër për pritjen e banorëve që do të largohen nga banesat e kërcënuara. Armando Subashi, kreu i Bashkisë së Fierit, tha: “Në Shkollën e Mesme Profesionale kemi bërë gati 180-200 shtretër në rast se do të lindë nevoja për evakuimin e familjeve nga zonat e përmbytura”. Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi: “Besoj që do të kemi shumë më pak dëme sesa në vitin 2015. Sidoqoftë, situata është dramatike dhe ajo që është e rëndësishme është që të mos kemi jetë të humbura. Më pas, të jemi të gatshëm t’u përgjigjemi të gjithëve kur të vijë koha e riparimit të dëmeve, duke nisur nga dëmet në bagëti”.

Ndërkohë, Emergjencat Civile i kërkojnë njerëzve që të shmangin lëvizjet gjatë natës në zonat e prekura nga rreshjet, mos të qëndrojnë afër lumenjve dhe urave. Banorët pranë shtretërve të lumenjve apo zonave që rrezikojnë përmbytjen të jenë në gadishmëri në rast të nevojës së evakuimit dhe për çdo emergjencë të telefonojnë në numrin 112. Gjatë dy ditëve të rreshjeve, Urgjenca Kombëtare kreu 189 misione shpëtimi, ndërsa ka patur 1100 thirrje për ndihmë shëndetësore si dhe janë kryer dy misione shpëtimi me helikopter.