Vlahutin: Progresi i arritur, KE i jep 14 mln euro buxhetit shqiptar

Në një deklaratë për shtyp shpërndarë nga ambasadorja e Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin, thuhet se Komisioni Evropian i ka paguar pjesën e parë prej rreth 14 milionë € buxhetit shqiptar, bazuar në performancën dhe progresin e deritanishëm Deklarata e Vlahutin: “Jam shumë e kënaqur të njoftoj se Komisioni Evropian i ka paguar pjesën e parë prej rreth 14 milionë € buxhetit kombëtar shqiptar bazuar në performancën dhe progresin e deritanishëm në zbatimin e reformës së menaxhimit financiar. Përmirësimi i menaxhimit financiar publik është një element i domosdoshëm për BE-në që të sigurojë mbështetje edhe për reforma të tjera, dhe është në veçanti një kusht konkret për disbursimin e rreth 130 milionë € të vendosura deri tani, nga zarfi i përgjithshëm prej 650 milionë € për periudhën 2014-2020, duke mbështetur reformat në administratën publike, punësim dhe arsim profesional, transportin dhe në luftën kundër korrupsionit. Një menaxhim më i mirë dhe më transparent i burimeve të kufizuara të shtetit mund të ketë një ndikim shumë më të madh sesa fondet që siguron BE-ja përmes kursimeve, shpenzimeve më efikase, më të prioritizuara dhe më me vlerë për paratë, prokurimit konkurrues, reduktimit të mbetjeve dhe korrupsionit. Rritja e transparencës dhe llogaridhënies te qytetarët për të pasur qasje në informacionin mbi përdorimin e burimeve publike dhe çfarë rezultatesh arrihen është një tjetër element thelbësor i reformës. Rezultatet e tij mund t’i mundësojnë Shqipërisë t’i përballojë më mirë shërbimet publike, si drejtësia e paanshme, rrugët e sigurta, përkujdesje shëndetësore me cilësi të mirë, ushqim i sigurt, mbledhje efikase e mbetjeve, ujë i pijshëm i pastër dhe higjienë. Që prej fillimit të reformës Shqipëria ka bërë progres në zbatimin e strategjisë për menaxhimin financiar publik. Është bërë progres, për shembull, në likuidimin e pagesave të prapambetura si borxh i fshehtë për shkak të faturave dhe TVSh-së së papaguar kompanive, të akumuluara para vitit 2013, rishikimin e ligjit për sistemin e buxhetit, forcimin e procedurave të kontrollit të brendshëm dhe kapacitetit për inspektime financiare, më shumë qasje online në sistemin e thesarit, lufta kundër informalitetit, përmirësimi i manualeve të auditimit të jashtëm dhe rritja e transparencës së buxhetit. Struktura e Ministrisë së Financave është përmirësuar. Vlerësimi i radhës i KE-së për zbatimin e reformës pritet në pranverë 2017. Institucionet qeveritare, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Parlamenti kanë detyrimin ta kryejnë dhe lehtësojnë zbatimin e kësaj reforme sipas mandatit të tyre, ndërsa për qytetarët , institutet kërkimore dhe gjithë aktorët jo-shtetërorë është në interesin e tyre më të mirë të luajnë rol dhe të angazhohen më intensivisht për ta shfrytëzuar sa më mirë zbatimin e reformës”.