Në përballjen e Kupës së Shqipërisë me Pogradecin, u shpresua se do të vinte fitorja e parë pas shumë kohësh për Vllazninë, por sërish nuk ndodhi kështu. Edhe këtë herë vetëm barazim 1-1. Rezultati i katërt sezonal i kuqebluve pa fitore, teksa në tri ndeshjet e mëparshme, të vlefshme për kampionat, kishin humbur radhazi, ndaj Teutës 0-2, ndaj Skënderbeut 0-1 dhe ndaj Partizanit 1-2. Kaq për këtë sezon që sapo ka nisur, por në fakt historia e kësaj skuadre ka lidhje edhe me atë të sezonit të kaluar, për më tepër që stafi drejtues është po i njëjti. dhe fundi i sezonit të kaluar ka të njëjtën histori.

Fitorja e fundit e kuqebluve në ndeshjet zyrtare daton më 4 prill të këtij viti. Pesë muaj e gjysëm gati përpara. Luhej në Shkodër ndaj Teutës dhe fitorja 1-0 me golin e Shtubinës do ishte e fundit që do të gëzonte vendësit. Pas kësaj fitoreje, do vinte humbja 1-2 me Tiranën, barazimi 1-1 me Flamurtarin, humbja 0-2 me Apoloninë në Fier, barazimi 1-1 në Elbasan, humbja 0-1 me Laçin, po 0-1 me Partizanin dhe në fund 0-2 me Skënderbeun.Plot 11 ndeshje pa fitore për Vllazninë, e cila duket qartë se nuk po kalon një gjendje aspak të mirë. Në kampin shkodran ekziston edhe frika në mos kjo ecuri rezultatesh negative të vazhdojë edhe më tutje, ngaqë ndeshja e radhës do të luhet të dielën në Vlorë ndaj Flamurtarit. 11 ndeshje pa fitore sigurisht që janë shumë për një skuadër si Vllaznia, megjithatë ky është realiteti i kësaj skuadre, e cila ka humbur shumë nga vlerat e saj.