Vllaznia e ka nisur me fitore Superligën. Shkodranët arritën që të fitojnë 2-0 ndaj Apolonisë së Fierit në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Kështu pas 3 muajsh të bojkotit Kampionati Shqiptar nisi zyrtarisht me ndeshjet e para. Pjesa e parë u mbyll pa gola 0-0 edhe pse shkodranët kishin disa raste për të kaluar në avantazh.

Në dy momente deçizive kur Vllaznia mund të kalonte në avantazh arbitrat anullojnë aksionet për pozicion jashtë loje duke ngjallur diskutime. Në minutën e 55’ një top që vjen nga këndi sulmuesi Dilvaer nuk e ka të vështirë ta dërgojë në rrjetë duke shënuar golin e parë për Vllazninë.

Shkodranët ruajnë avantazhin dhe në minutën e 81’ është radha e sulmuesit tjetër Dunga që edhe ai del i vetëm me portierin dhe godet saktësisht duke sjellë qetësinë për kuqeblutë në përballjen me Apoloninë dhe duke vulosur fitoren në 2-0. Pas ndeshjes trajneri i Vllaznisë Thomas Brdariç tha se fitorja në këtë përballje të parë është e rëndësishme për skuadrën.

Vllaznia takimin e dytë të kampionatit do ta ketë në Korçë me Skenderbeun nga ku synon një tjetër fitore për të vijuar me një ecuri pozitive në këtë fillim kampionati.