
Deri në fund të sezonit Vllaznia duhet që t’i bëjë llogaritë pa mbrojtësin Polizoi Arbri.
Vllaznia pas fitores me Tiranën ka një tjetër përballje të vështirë teksa do të luaj në transfertë ndaj Bylisit, një ekip me të cilin rivalizon për mbijetesën. Shkodranët kanë një avantazh sepse shkojnë me 5 pikë më shumë në Ballsh dhe presioni është mbi ekipin vendas dhe jo kuqeblutë e Vllaznisë. Po ashtu sulmuesi Dibra që ndaj Tiranës u zëvendësua për shkak të dëmtimit nuk do ta ketë të mundur të jetë i gatshëm për sfidën e radhës. Edhe futbollistë si Tafili, Krymi apo Çinari kanë sërish probleme dhe nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë çka ia vështirëson punën trajnerit të Vllaznisë Armando Cungu në prag të sfidës me Bylisin, ndeshja e cila cilësohet si e vështirë por kuqeblutë shkojnë për një rezultat pozitiv. Beratasi që nga momenti kur erdhi në merkato ka shfaqur probleme dhe ka vuajtur një dëmtim të hershëm të tij. Megjithatë është aktivizuar dhe ka luajtur në disa ndeshje edhe pse nuk ka mundur që të japë më të mirën e tij për shkak të dëmtimit. Në takimet e fundit mbrojtësi i djathtë ka shfaqur disa probleme dhe tashmë përfundimisht është vendosur që të mos jetë më në fushën e lojës për shkak të këtij dëmtimi. Arbri do të duhet që t’i nënshtrohet një operacioni që ende nuk është e qartë nëse do ta marrë apo jo përsipër klubi Vllaznia. Patjetër që ky është një tjetër problem që shtohet për stafin teknik që tashmë ka në dispozicion deri në fund të sezonit vetëm të riun Pjeshka duke qenë se edhe Gurishta ende nuk është rikthyer që pas dëmtimit të rëndë që pati. Kështu tashmë Vllaznia ndodhet në alarm për anën e djathtë të mbrojtjes aq sa në sfidën me Tiranën Shtubina u detyrua të luante në atë atë pozicion. Janë edhe 10 janë për t’u luajtur dhe vetëm me Pjeshkën në të djathtë të mbrojtjes do jetë e vështirë për ta përballuar.
/ Star Plus TV /


