Vllaznia B dhe Sopoti do të kenë ndeshjen e tyre të Play Off-it të premten me 19 maj në ora 16:00.

Kjo sfidë do të luhet në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjes dhe skuadra fituese do të marrë pjesë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Vllaznia B e mbylli e dyta kampionatin në Kategorinë e Dytë duke qenë kështu ekip pjesëmarrës në fazën Play Off. Nga ana tjetër Sopoti fitoi 2-0 me Elbasanin duke fundosur edhe më shumë këtë ekip me traditë që sezonin e ardhshëm do luaj në Kategorinë e Dytë.

Vendimi që ndeshja Vllaznia B-Sopoti të luhet në Lushnje, si një stadium asnjëanës nuk është pritur me pozitivitet në Shkodër dhe kërkohet një pikë më e afërt. Një tjetër kërkesë e rëndësishme është që të ndryshohet edhe data e zhvillimit të kësaj ndeshje sepse ditën e premte Vllaznia U-19 ka sfidën e fundit ndaj Partizanit ndërsa ekipi i parë i Vllaznisë të shtunën ka transfertën e radhës në Durrës me Teutën.

Nga të dy këto ekipe Vllaznia B ka lojtarë që i aktivizon por data 19 maj nuk është aspak e favorshme sepse shumë futbollistë janë në dy skuadrat e tjera që ka Vllaznia. Ky vendim me datë dhe orë të papërshtatshme hedh poshtë qëllimin që ka vetë FSHF për krijimin e ekipeve të dyta për klubet shqiptare.

FSHF ende s’ka dhënë një përgjigje kërkesave të klubit Vllaznia çka do të thotë se ndeshja e B-së me Sopotin do jetë të premten me 19 maj. Vllaznia B synon një fitore ndaj Sopotit për të siguruar kështu pjesëmarrjen në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm pavarësisht se s’do të ketë në gjirin e saj disa lojtarë të rëndësishëm që do jenë në ndeshjen e 19 vjeçarëve apo në ekipin e parë për përballjen ndaj Teutës.

Artikulli paraprakVOLTANA ADEMI TAKOHET ME TË MOSHUARIT
Artikulli tjetër“UNË E IDRIZI, IMPONUES TË MARRËVESHJES”. META TAKOI BERISHËN