Vllaznia bën goditjen e parë në merkato. Olsi Gocaj rikthehet në qytetin e tij.

Shkodrani ka lënë Laçin dhe ka pranuar që të rivishet kuqeblu. Gocaj prej ditësh përflitej për një rikthim të tij në kampin kuqeblu dhe tashmë këtë e ka bërë realitet. Pas disa ditësh në bisede, mbrojtësi shkodran ka mbërritur në zyrat e klubit Vllaznia dhe pas një bisede të shkurtër në praninë e administratorit Astrit Gjyrezi ka hedhur firmën. Olsi Gocaj për dy vitet e ardhshme do të jetë futbollist i Vllaznisë dhe tashmë ka një frymë të re ku kontratat me lojtarët nuk bëhen më 1-vjeçare por më shumë se kaq në mënyrë që skuadra të ketë baza pak më afatgjata. Kështu plotësohet një prej kërkesave që është në listën e trajnerit të Vllaznisë Armando Cungu duke rikthyer Gocajn në Shkodër edhe pse më përpara me drejtuesit e mëparshëm ka patur debate dhe nuk është larguar në mënyrën më të mirë. Gjithçka është hedhur pas krahëve dhe mbrojtësi do të nisë një histori tjetër me Vllazninë. Burime pranë klubit shprehen se kanë nisur bisedimet me sulmuesin e Bylisit Brunild Pepa. Ende nuk ka një përgjigje por Pepa mund të jetë një zgjidhje e mirë për majën e sulmit të kuqebluve. Faqja zyrtare e Vllaznisë bën me dije se edhe mesfushori Ardit Krymi ka firmosur një kontratë me Vllazninë. Krymi edhe tre vite të tjera do të jetë kuqeblu duke hedhur poshtë aludimet për një largim të tij nga skuadra shkodrane në ekipe të tjera. Një kontratë për dy vitet e ardhshme me Vllazninë ka firmosur edhe portieri Erind Selimaj çka tregon se është në planet e stafit teknik. Selimaj ka lënë pas dëmtimin e sezonit të kaluar dhe mund të jetë gardiani i katërkëndëshit në sezonin e ardhshëm. Pas disa largimeve më në fund vijnë edhe afrimet e para ndërkohë që në ditët në vijim pritet që të firmosin të tjerë futbollistë me Vllazninë.

Artikulli paraprakOKB: REFUGJATËT, NUMËR REKORD PREJ 65 MLN. TË LUFTOHEN SHKAQET E ARRATISË
Artikulli tjetërSHQIPËRIA BËN HISTORINË, NUK ËSHTË NJË ËNDËRR