Vllaznia bën mrekullinë! Shkodranët në një mbrëmje fantastike fituan 3-0 përballë Shiroki Brijeg duke u kualifikuar në turin e dytë të Konference League. Pas 10 vitesh mungesë në Kupat e Europës, kuqeblutë kanë surprizuar të gjithë jo vetëm duke kthyer rezultatin pas humbjes 3-1 në ndeshjen e parë por edhe duke arritur kualifikimin brenda 90 minutave dhe duke bërë që tifozët të festojnë në një natë të çmendur.

Pas një viti e gjysëm mungesë në stadiumin e Shkodrës, tifozët u rikthyen duke shijuar përballjen e parë në shtëpi me një fitore dhe kualifikim që në fillim dukej si një mision i pamundur. Vllaznia e nis mirë lojën dhe rrezikon që në fillim të pjesës së parë. Pjesa e parë mbyllet pa gola. 45 minutëshi i dytë nis me një gol të bukur të Gjurgjeviç i cili mposht portierin mik me një gjuajtje befasuese brenda zonës.

Stadiumi shpërthen në festë por flakadanët dhe kapsollët e hedhura detyrojnë arbitrin të ndërpresë ndeshjen ndërsa jep edhe paralajmërimin e fundit. Kapiteni Gurishta flet me tifozët dhe situata qetësohet. Vllaznia nuk dorëzohet dhe sulmon ekipin mik. Nuk kalon shumë kohë dhe Imami vjen nga mbrojtja për të shënuar golin e dytë dhe për të ndezur edhe më shumë tifozët ndërsa edhe vetë feston pafund.

Me rezultatin 2-0 kur kishin mbetur edhe 28 minuta lojë Vllaznia siguroi kohën shtesë. Në fakt nuk është e nevojshme të pritet koha shtesë se shkodranët zgjidhin gjithçka brenda 90 minutave. Është sërish Gjurgjeviç që shfaqet i vetëm me portierin boshnjak dhe godet saktë duke realizuar golin e tretë që është edhe goli fatal për skuadrën mike si dhe goli që vulos në 3-0 rezultatin dhe i jep kualifikimin Vllaznisë për në turin e dytë të Konference League.

Vllaznia ndeshjen e turit të dytë do ta ketë përballë qipriotëve të Ael Limasol ku edhe aty synohet një paraqitje dinjitoze. Në fund të ndeshjes tifozët festuan përreth stadiumit “Loro Boriçi” por edhe në qendër të qytetit të Shkodrës këtë sukses që vjen pas 10 vitesh mungesë.