Vllaznia në boks rrezikon që të mos marrë pjesë me ekipet e të rinjve në kampionatin kombëtar të boksit që do të jetë më 25 qershor të këtij viti. Trajneri i kuqebluve Zef Gjoni shprehet se procesi që ka nisur bashkia Shkodër për t’i kthyer në shoqata klubet sportive në bazë të ligjit për privatizimin e sportit e ka dëmtuar ekipin e boksit sepse nuk ka fondin e duhur për të marrë pjesë në kampionatin kombëtar.

Trajneri Gjoni kërkon që bashkia Shkodër të gjejë një zgjidhje sepse e quan të turpshme nëse ekipet e të rinjve nuk marrin pjesë në kampionatin kombëtar.

Deri më tani asnjë sponsor nuk është afruar tek skuadra e boksit pasi sipas trajnerit Gjoni ligji për sportin nuk i favorizon aspak.

Ekipi i boksit por edhe skuadrat e tjera të shumësportëshit rrezikojnë të shkrihen shprehet trajneri Gjoni në rast se bashkia Shkodër nuk gjen rrugën për t’i mbështetur financiarisht.
Edhe trajneri tjetër i Vllaznisë në boks Lazarin Vila shprehet se ky moment në të cilin po bëhet kjo procedurë e kthimit në shoqata të klubeve sportive është i papërshtatshëm për shkak të kampionateve të ndryshme që janë.

Pas kthimit të klubeve sportive në shoqata në kuadër të privatizimit të sportit në Shqipëri sipas ligjit në fuqi, bashkia pritet që t’i mbështesë me projekte të paktën deri në viti 2023 sportet ku secili prej tyre duhet të aplikojë dhe në rast se shpallet fitues do përfitojë shumën financiare që do përcaktojë bashkia në këto projekte.

Artikulli paraprakNIS STËRVITJA, BRDARIÇ: VLLAZNIA DIÇKA SPECIALE
Artikulli tjetërKONFERENCË LIGË, VLLAZNIA DO LUAJ NDAJ SHIROKI TË BOSNJES