Tek Vllaznia ka probleme. Një i tillë është padyshim dëmtimi i disa futbollistëve.

Ajo që shqetëson më shumë është ndalesa e mbrojtësit Stefan Cicmil. Malazezi pësoi një dëmtim në minutat e fundit të ndeshjes me Kukësin dhe u detyrua të linte fushën në pamundësi për ta çuar takimin deri në fund. Që në fillim mjekët konstatuan diçka serioze megjithatë konkluzioni përfundimtar ka dalë të dielën. Futbollisti ka bërë ekzaminimet e duhura të gjurit të dëmtuar dhe në bazë të tyre, ka rezultuar për një zgjatje të ligamentit të jashtëm. Mjekët specialistë i kanë këshilluar atij një muaj pushim. I dëmtuar në ndeshjen ndaj Kukësit, Cicmil do t’i mungojë Vllaznisë për afro një muaj siç rekomandojnë mjekët. Para seancës së djeshme, ka patur një takim të tij me stafin teknik dhe atë mjekësor të Vllaznisë dhe të gjithë kanë dalë në konkluzionin se Cicmil duhet të pushojë për këtë periudhë. Një problem tjetër ky për trajnerin Armando Cungu, të cilit i reduktohen në maksimum alternativat për në qendër të mbrojtjes. Përveç malazezit nuk është stërvitur me ekipin as Çinari, edhe ky i dëmtuar ndaj kuksianëve. Mesfushori i krahut ka një dhembje të fortë në pjesën e shputës së këmbës, çka ia bën të pamundur stërvitjen me grupin për momentin. Me shumë gjasa edhe ai nuk do të jetë i gatshëm për takimin e së mërkurës ndaj Teutës për kupë dhe këto janë probleme jo të vogla për Vllazninë.