Është një ndeshje ku vendoset fati i futbollit shkodran. Kështu e cilëson trajneri i Vllaznisë Hysen Dedja përballjen e së dielës me Besëlidhjen, ndeshja e cila përcakton se cila skuadër do të jetë në Superligë sezonin e ardhshëm. Në sfidën e së dielës që do të jetë në stadiumin “Loro Boriçi” në ora 19:00, trajneri Dedja thotë se i vetmi objektiv është fitorja brenda 90 minutave të lojës së rregullt.

Lojtarët e Vllaznisë thotë trajneri Dedja kanë një motivim të madh dhe kjo ndjehet tek gjithsecili sepse edhe përgjegjësia është shumë e madhe. Një ditë më parë një grup tifozësh kanë takuar skuadrën në grumbullim për t’i dhënë një nxitje në prag të kësaj ndeshje të rëndësishme me Besëlidhjen.

Në krye të Besëlidhjes si trajner është shkodran Elvis Plori, një ish futbollist i Vllaznisë por edhe një ish-sportist i trajnerit Dedja për të cilin shprehet me respekt por në këtë përballje kërkon që ta mund duke qenë se e ka kundërshtar.

Pas ndeshjes me Besëlidhjen ku Vllaznia synon fitoren për të siguruar qëndrimin në Superiore, trajneri Dedja thotë se tek kuqeblutë nevojitet një analizë e gjatë në mënyrë që skuadra të mos jetë sërish në këto ujëra të mbijetesës.

Vllaznia u rendit në vendin e 8-të në Superligë këtë sezon, duke u detyruar të luaj ndeshjen e Play Out me fituesen e Kategorisë së Parë që është Besëlidhja. Ekipi fitues në takimin Vllaznia-Besëlidhja siguron Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm.