Bujar Hajdari është dështimi i parë i merkatos verore të Vllaznisë. Edhe pse trajneri Migen Memelli nuk e konsideroi të tillë, mësohet se drejtuesit janë në bisedimet e fundit me sulmuesin shqiptaro-maqedonas për të prishur kontratën tre-vjeçare me kuqeblutë. Realisht që në momentin kur ka mbërritur në Shkodër, shumëkush ka qenë skeptik për nivelin e këtij futbollisti dhe tashmë, lojtari i afruar në këtë merkato do të largohet nga drejtuesit pa filluar sezoni. Ai është aktivizuar në disa prej ndeshjeve miqësore që ekipi ka zhvilluar, por edhe pak minuta në ndeshjet europiane, por pa bindur askënd. Në këto rrethana, kur i gjithë opinioni sportiv e konsideronte dështim, drejtuesit e Vllaznisë mesa duket kanë vendosur që të ndërpresin kontratën me të.

Një gjë e tillë ende nuk është zyrtarizuar, por mësohet se me lojtarin është rënë dakord për të mos vazhduar bashkëpunimin. Një veprim i tillë sigurisht që nuk është ai i duhuri, teksa mësohet se 20-vjeçari nuk e ka bindur stafin teknik dhe trajnerin Migen Memelli përgjatë një muaji stërvitje, pavarësisht se tekniku i Vllaznisë deklaroi se sulmuesit i duhet kohë të përshtatet. Në fakt, ndoshta trajneri Memelli ka dashur ta mbrojë Hajdarin në konferencën e shtypit pas miqësores me Otrant, por tashmë duket se nuk ka më kohë as për ambientim, sepse sulmuesi shqiptaro-maqedonas pritet të mos jetë më pjesë e Vllaznisë.

Tashmë, pritet vetëm zyrtarizimi i ndërprerjes së kontratës, me Bujar Hajdarin që largohet pa luajtur asnjë minutë si kuqeblu në një ndeshje të kampionatit shqiptar që ende nuk ka nisur. Vllaznia ka paguar afro 5 mijë euro për kartonin e këtij lojtari, para të cilat kanë shkuar dëm. Po ashtu edhe prishja e kontratës ka kostot e veta sepse sulmuesi të paktën deri tani nuk ka ndër mend të largohet duarbosh duke kërkuar një shumë të parave nga drejtuesit e Vllaznisë ose në të kundërt nuk do të pranojë të prishë kontratën ose nëse bëhet e njëanshme nga Vllaznia atëherë 20-vjeçari mund t’i drejtohet UEFA-s siç ka ndodhur më përpara.

Artikulli paraprakSHERR NË SHËNGJIN, PLAGOSET 59-VJEÇARI
Artikulli tjetërSHKODËR, QENI KAFSHON TURISTIN ANGLEZ