Benjamin Nako ka dhënë dorëheqjen si administrator i Vllaznia sh.a. Kjo dorëheqje e Nakos vjen pas përplasjeve me sponsorin e Vllaznisë Alban Xhaferri. Nako përmes një deklarate për shtyp ka bërë të ditur arsyet e dorëheqjes ndërsa bëhet administratori më jetëshkurtë tek Vllaznia me vetëm një muaj në këtë pozicion. Ja se çfarë shkruan Nako në deklaratën e dorëheqjes:

“E kam pranuar me shumë dëshirë detyrën e Administratorit të Klubit të Futbollit “Vllaznia” sh.a., duke e ndjerë veten të nderuar, por edhe duke ndjerë përgjegjësinë që të jap kontributin tim në funksionimin e përditshëm të Klubit të dashur për të gjithë ne. Situata e krijuar së fundmi si dhe deklarimet e Sponsorit të Klubit, z Alban Xhaferi, dua të sqaroj opinionin për sa më poshtë: Duke respektuar maksimalisht kontributin e z.Xhaferi, ai mbetet nje sponsorizues i aktivitetit sportiv të KF “Vllaznia” dhe në asnjë mënyrë nuk mund t’i jepen kompetenca të “presidentit” apo administratorit, sepse ligji nuk e lejon një gjë të tillë. Përgjegjësia ligjore, administrative dhe drejtuese mbetet vetëm e administratorit dhe e strukturave të miratuara nga ai dhe Këshilli Mbikqyrës. Lidhur me Marrëveshjen “Për Sponsorizim”, që është firmosur, ajo nuk mund të zëvendësojë bazën ligjore të funksionimit të një shoqërie tregtare me kapital 100% publik, siç është KF “Vllaznia” sh.a. dhe aq më pak, ta kundërshtojë atë, sepse do të bënte të pavlefshme juridikisht zbatimin e saj dhe vendimeve të marra bazuar në të. Në projekt-buxhetin e vitit 2021 për KF “Vllaznia” sh.a., Bashkia planifikon një mbështetje prej 60 milion lekësh, ndërsa Sponsori 20 milion lekë. Ndërsa gjatë vitit 2020, deri në momentin e këtij njoftimi, Bashkia Shkodër e ka mbështetur KF “Vllaznia” me një buxhet prej 44 milion lekësh, ndërsa Sponsori ka dhënë 3 milion lekë. Ndërkohë, Sponsori ka vendosur emrin e vet ne kostumet sportive të ekipit të parë dhe të Akademise, si dhe ka marrë në përdorim gjithë hapësirat e reklamës në stadium, që vlejnë shumë më tepër se sa kontributi i tij financiar. Vllaznia po hyn në proçes ligjor privatizimi dhe në këto kushte, duhet që të krijohen hapësira të barabarta ligjore për të gjithë të interesuarit dhe duhet ndjekur një proçedurë e saktë që eleminon ankimimet eventuale nesër për parregullsi ligjore. I gjendur përballë kësaj situate që me datë 17.11.2020 i kam paraqitur dorëheqjen time te parevokueshme Këshillit Mbikqyrës të KF ”Vllaznia”. Arsyeja që sot bëhet publike është që të ruhej klima dhe përqëndrimi i ekipit tek ndeshja me ekipin e ”Tiranës”. I lumtur në maksimum, ashtu si çdo shkodran tjetër, e kam shijuar fitoren ndaj Tiranës. Largimi im nuk do të thotë se largohem nga Vllaznia. Me mendje e zemër do jem gjithnjë pranë saj, për ta mbështetur e suportuar si në raste gëzimesh, por edhe kur ajo të jetë në momente të vështira. Dua të falenderoj të gjithë bashkëpuntorët pjesë e strukturës së KF “Vllaznia” të cilët me  përkushtimin e tyre megjithëse kanë 6 muaj pa marrë rrogat, krijojnë kushtet e nevojshme për mirëfunksionimin e klubit”.

Artikulli paraprakZGJEDHJET NË LSI, MONIKA KRYEMADHI KONFIRMOHET NË MANDATIN E DYTË SI KRYETARE
Artikulli tjetër“GËZUAR DITËN E ALFABETIT TË GJUHËS SONË!”, META URON NË 112-VJETORIN E KONGRESIT TË MANASTIRIT: NDERIM DHE MIRËNJOHJE RILINDASVE TË VËRTETË TË KOMBIT TONË